|Friday, May 26, 2017
You are here: Home » Kronika e Zezë » Maqedonia vend transit i narkotikëve

Maqedonia vend transit i narkotikëve 

Aktuale-Droga_416616923

Maqedonia është vend transit i lëndëve narkotike, pavarësisht se sasi të konsiderueshme të drogave që janë duke u transportuar në vendet evropiane mbeten dhe shpërndahen në narko-tregun vendas. Një analizë ose matematikë e thjeshtë, e cila do të bazohej në numrin e narkomanëve dhe në plotësimin e nevojave të tyre ditore, çon në të dhëna tepër shqetësuese, sipas të cilave, sasitë e drogave që futen dhe konsumohen në vend, në nivel vjetor, duhen matur me tonelata

Ilir IVANOVSKI

Shkup, 12 janar – Sekuestrimet e shumta të kohëve të fundit nuk ndikuan në uljen e kontrabandës me lëndë narkotike, që është duke u zhvilluar në dhe nëpërmjet vendit. Konstatimet e njohësve të kësaj problematike janë se trafikantët, të inkurajuar nga fitimet e larta dhe të shpejta, vazhdojnë në mënyra të shumta të importojnë dhe eksportojnë jashtë vendit sasi të mëdha të lëndëve të ndryshme narkotike, pa marrë parasysh se policia vendase arriti të zbulojë dhe ndërpreu një numër të madh të rrjeteve ilegale të trafikimit të drogave. Maqedonia konsiderohet si vend transit i lëndëve narkotike, pavarësisht se sasi të konsiderueshme të drogave që janë duke u transportuar në vendet evropiane mbeten dhe shpërndahen në narko-tregun vendas. Gjatë viteve të fundit nëpër territorin Maqedonisë kanë kaluar lëndët narkotike me prejardhje nga Afganistani, Amerika Jugore, Turqia e të tjera. Falë bashkëpunimit të policisë vendase me policitë e vendeve të huaja, në vazhdimësi, por sidomos gjatë kohëve të fundit, janë zbuluar një sërë rastesh kur janë kontrabanduar lëndë narkotike, duke u ndërprerë në këtë mënyrë shumë kanale ilegale të trafikimit të drogave dhe duke u arrestuar trafikantët. Edhe pse njohësit e kësaj problematike konstatojnë se Maqedonia edhe më tej mbetet vend transit i lëndëve narkotike, një analizë ose matematikë e thjeshtë çon në të dhëna tepër shqetësuese, sipas të cilave sasitë e drogave që futen dhe konsumohen në vend, në nivel vjetor, duhen matur me tonelata. Besohet se të paktën tre tonë droga të ndryshme çdo vit shpërndahen dhe konsumohen nga përdoruesit e lëndëve narkotike në të gjithë vendin. Janë këto supozime të punonjësve të doganës, të cilët si bazë për shifrat e atilla e marrin numrin e përdoruesve të regjistruar të lëndëve narkotike në vend. Sipas tyre, nëse do të bazoheshim vetëm në shifrat zyrtare të policisë, në vend çdo ditë konsumohen rreth nëntë kilogramë droga të llojeve të ndryshme. Duke u bazuar në statistikat policore, sipas të cilave në Maqedoni ka nga rreth nëntë mijë përdorues të drogave dhe nëse këta persona çdo ditë konsumojnë nga një gram drogë, atëherë në vend duhen futur rreth nëntë kilogramë drogë në ditë, për t’u plotësuar nevojat e narkomanëve. Në bazë të kësaj logjike në narko tregun vendas shpërndahen rreth treqind kilogramë droga në muaj, ndërsa për t’i mbuluar nevojat dhe kërkesat e përdoruesve, nëpër kanale të ndryshme ilegale, në nivel vjetor në Maqedoni përfundojnë rreth tre tonë lëndë të ndryshme narkotike. Drogat edhe më tej importohen nëpërmjet kanaleve të ndryshme ilegale, por një pjesë e madhe vazhdojnë të futen nëpërmjet pikave kufitare.

Drogat më të përdorura
Droga më e përdorur edhe më tej mbetet marihuana, të cilën sipas statistikave të deritanishme të policisë, e përdorin rreth 60 për qind të përdoruesve. Më pak se dyzet për qind e përdorin heroinën, ndërsa një numër i vogël i përdoruesve konsumon kokainë, ekstazi, ilaçe të ndryshme dhe lëndë të tjera narkotike. Sipas të dhënave policore, e vetmja arsye për përdorimin e madh të marihuanës është çmimi i saj, i cili është rreth 100 denarë për xhoint (një cigare me marihuanë), por nuk duhet harruar edhe prania e madhe si dhe mënyra e lehtë për t’u blerë e njëjta. Eksperienca e deritanishme ka treguar se marihuana shpesh futet nga Shqipëria dhe nëpërmjet kanaleve të ndryshme shpërndahet nëpër të gjithë vendin. Ndërkaq, kohëve të fundit janë rritur ndjeshëm sasitë e marihuanës së prodhuar në vend, por policia ka arritur t’i zbuloj në kohë rastet, duke e ndërprerë kultivimin e mëtejshëm të bimës nga e cila fitohet ajo. Përveç marihuanës në narko-tregun vendas shumë lehtë mund të gjendet edhe heroina. Rastet e shpeshta kur janë ndaluar përdorues dhe shpërndarës të kësaj lënde narkotike tregon se e njëjta është e pranishme në masë të madhe dhe mund të gjendet me çmim të lirë. Praktika e deritanishme ka dëshmuar se përveç drogave më të lira në narko tregun vendas mund të gjenden edhe drogat e shtrenjta. Pikërisht rasti i fundit, gjatë të cilit u sekuestruan dy kilogram kokainë të dedikuar për tregun vendas, më saktë për përdoruesit me xhep “më të thellë”, ka vërtetuar se edhe pse vendi konsiderohet si pikë transitore, në tregjet e tij të zeza mund të gjenden të gjitha llojet e lëndëve narkotike.

Droga dhe të rinjtë
Problem tepër shqetësues, i cili është në rritje të vazhdueshme, është përdorimi i lëndëve narkotike nga ana e të rinjve. Sipas hulumtimeve të deritanishme, të rinjtë zakonisht fillojnë t’i përdorin lëndët narkotike nga mosha 12-vjeçare deri në moshën 17-vjeçare ose më saktë gjatë viteve kur janë ose duhet të jenë në bankat e shkollës. Punonjësit e arsimit, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejt me adoleshentët, pranojnë se viteve të fundit tek moshat e reja regjistrohet liri tepër e madhe në sjellje. Pikërisht kjo liri, sipas tyre, shumë lehtë vërehet në dukuritë e shumta devijuese midis gjeneratave të reja. Nëse vite më parë, për shembull, cigarja konsiderohej si gjë e keqe, sot përdorimi i saj është gjeja më normale, ndërsa një numër i mirë i të rinjve janë “avancuar”, duke u dhënë pas lëndëve narkotike. Një analizë e kohëve të fundit, e realizuar me nxënës të shkollave të mesme, ka vërtetuar se përveç cigareve dhe alkoolit, marihuanën e kanë provuar tetë për qind të adoleshentëve nga 16 deri në 18 vjeç. Gjatë vitit të kaluar një tjetër hulumtim të ngjashëm realizuan edhe Enti i shëndetësisë dhe UNICEF-i, të cilët përgatitën një studim për shëndetin e adoleshentëve në Maqedoni. Sipas këtij hulumtim një pjesë e adoleshentëve lëndët narkotike i kanë provuar në ambientet e shkollave ku kanë mësuar. Sipas studimit, adoleshentët në Maqedoni gjithnjë e më shumë përdorin alkoolin, drogën dhe cigaret. Në bisedat me punonjësit e arsimit, pothuajse të gjithë pajtohen se drogat përdoren edhe në ambientet shkollore, por një gjë e tillë nuk ndodh në shkollat ku punojnë ose me të cilat administrojnë ata. Gjithashtu, ata nuk kanë informata se cilat janë shkollat më problematike në vend, ku të rinjtë “dredhin” marihuanën, gëlltitin ekstazi, ose ndoshta provojnë edhe droga më të forta, edhe pse sipas dijenive të tyre nëpër shkollat futen dhe përdoren lëndë të ndryshme narkotike, por zakonisht droga të lehta. Është për t’u habitur se ata arrijnë të marrin vesh se të rinjtë konsumojnë droga në shkollë, por shpjegojnë se në veshët e tyre nuk depërtojnë emrat e shkollave problematike. Në një situatë të tillë, rrugëdalja nga problemet e shumta me të cilat gjithnjë e më shumë ballafaqohen adoleshentët kërkohet në punën më serioze me ta, por edhe me prindërit e tyre. Ndërkohë, ekspertët janë të mendimit se një aksion i përbashkët i punonjësve të arsimit, institucioneve shtetërore dhe prindërve do t’i ndërgjegjësonte të rinjtë dhe të ndikonte në parandalimin e problemeve të shumta. Ndërkaq, në kohë kur është rritur numri i aksioneve anti drogë, por edhe i sasive të lëndëve narkotike të sekuestruara, paralelisht, nga viti në vit, është duke u rritur edhe numri i përdoruesve të lëndëve narkotike. Shifrat zyrtare tregojnë se në vend rreth tetë mijë persona konsumojnë lëndë të ndryshme narkotike, mirëpo besohet se numri real është më i madh. Ky fakt mund të konstatohet lehtë duke u bazuar në evidencat policore dhe gjyqësore, në të cilat shumë shpesh evidentohen grabitje, me anë të të cilave një pjesë e madhe e autorëve synon të siguroj të holla që më vonë përdoren për droga të ndryshme. Në një situatë të tillë, më të goditur nga lëndët narkotike mbeten burrat. Statistikat policore gjithashtu tregojnë se personat e papunë më shpesh e zgjatin dorën ndaj drogave, duke kërkuar rrugëdalje nga problemet ekzistenciale, por edhe qetësi shpirtërore. Në të njëjtën kohë, drogat çdo vit marrin nga disa jetë.

T’fundit nga rubrika:


Add a Comment

0