|Tuesday, May 30, 2017
You are here: Home » Lajme » LSDM dhe BDI nuk pranojnë dialog me Ivanovin, PDSH vë kusht

LSDM dhe BDI nuk pranojnë dialog me Ivanovin, PDSH vë kusht 

Ivanov-686x330

Një takim mes presidentit të shtetit Gjorge Ivanov dhe partive politike, LSDM dhe BDI, duket se është i pamundur, edhe pas thirrjes së kreut të shtetit për vendosjen e dialogut.

Burime zyrtare të dy partive kanë deklaruar për gazetën “Dnevnik” se nuk kanë përse takohen me presidentin, dhe se, në të vërtetë, ai nuk u ka dërguar asnjëherë ftesa për takim.

LSDM thotë se komunikimi i vetëm me Presidencën ka qenë ai para disa muajsh, në lidhje me angazhimin e mundshëm të presidentit për ndërmjetësimin e zgjidhjes së krizës politike.

Ndërkohë, zyrtarë të BDI-së thonë se presidenti i shtetit nuk ka bërë asnjë përpjekje për të realizuar një takim me kreun e partisë, Ali Ahmeti.

Pavarësisht thirrjeve për dialog, BDI shprehet se nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me legjitimitetin e presidentit.

“Ai nuk ka legjitimitet që të bëjë thirrje për një takim, ku do të diskutoheshin çështjet e mëdha politike, për shkak se nuk ka fituar legjitimitetin e shqiptarëve. Mosrespektimin e shqiptarëve, Ivanov e dëshmoi edhe në rastin kur në Këshillin e Sigurimit emëroi shqiptarë preferencialë, ngjashëm si në kohën e komunizmit”, ka deklaruar për “Dnevnik” shefi i Kabinetit të Kreut të BDI-së, Artan Grubi.

Nga ana tjetër, PDSH shprehet e gatshme për takim, por vetëm atëherë kur do të përcaktohej paraprakisht agjenda nga Ivanov dhe nga partitë politike.

“Përshtypja që krijon fjalimi i Ivanovit është se ai nuk flet për dialog politik për tema të rëndësishme mes partive relevante, por për një dialog mes presidentit të shtetit dhe liderëve të partive që kontestojnë legjitimitetin dhe kredibilitetin e tij. PDSH mbështet dialogun mes partive dhe presidentit, por me një agjendë të paracaktuar nga Ivanov dhe nga partitë”, thotë një funksionar i lartë i PDSH-së.

T’fundit nga rubrika:


Add a Comment

0